Kamerieri i ditëve moderne: Kur buzëqeshja humbet në shërbim
- Zonë Turizmi
- Dec 7, 2024
- 2 min read

Kujt i pëlqen të ulet në një restorant, të shohë kamerierin që vjen si të ketë humbur biletën e lotarisë, të marrë porosinë me një pamje sikur po bën një sakrificë heroike dhe më pas zhduket sikur kishte përpirë vrima e zezë. Epo, kështu duket shërbimi sot në shumë kafene dhe restorante në Kosovë. Dhe nëse i lë ndonjë bakshish, ndonjëherë ke ndjesinë sikur ke kryer një akt detyrimi dhe jo një shenjë mirënjohjeje.
Gjatë kohës kur isha në gjimnaz, punoja si kamerier në një restorant mjaft të njohur në Kosovë (hotel trofta Istog) ku kishte rregull dhe disiplinë të rreptë. Rroga ishte 200 euro, por motivimi im nuk ishte vetëm paga. Ideja ishte që të ofroja shërbim të shkëlqyer, me profesionalizëm, buzëqeshje, sjellje të mirë dhe gatishmëri për çdo nevojë të klientëve. Qëllimi im dhe i sëcilit? Një bakshish në fund të darkës, që nuk ishte vetëm monetar, por edhe një shenjë vlerësimi.
Nga ajo kohë, ku do që shkoj mundohem gjithmonë të lë bakshish për kamerierët. Por, si duket, kamerierët e sotëm nuk e vlerësojnë shumë këtë gjest. Shërbimi shpesh duket i ftohtë dhe i detyruar, sikur po kryejnë një punë me zor. Përjashtim munde të bëjnë kamerieret femra, të cilat shpesh janë më të sjellshme se kolegët e tyre meshkuj.
Të qenit kamerier/e nuk është një punë sekondare apo e përkohshme. Ky është një profesion që ka edhe shkolla specifike. Gjatë studimeve të mia në Fakultetin e Turizmit në Turqi, kemi pasur një lëndë të veçantë për kamerierët, ku, përveç literaturës së gjerë, kemi zhvilluar trajnim në hotele të niveleve botërore me ekspertë të kësaj fushe. Ky profesion të jep mundësi të ngrihesh në karrierë dhe të kesh të ardhura të mira, nëse i përkushtohesh.
Por, fatkeqësisht, në vendin tonë, ky profesion shihet si diçka e përkohshme dhe e përshtatshme vetëm për ata që janë në kërkim të një pune "më të mirë". Shpesh kjo punë shikohet si një ndalesë e shkurtër derisa të gjendet diçka që konsiderohet më e leverdishme.
Për ta përmbledhur, të qenit kamerier nuk duhet të shihet si një punë kalimtare apo e padenjë. Ky është një profesion me dinjitet dhe mundësi të pafundme për zhvillim profesional. Një buzëqeshje dhe sjellje e mirë mund të ndryshojnë gjithçka, si për klientët, ashtu edhe për vetë kamerierin. Pra, kamerierë të sotëm, mos e trajtoni profesionin tuaj si një ndëshkim. Sepse ndoshta, klienti që ju shikoni si barrë sot, mund të jetë pikënisja e suksesit tuaj nesër.