Londra përfiton miliona nga panairi ndërkombëtar i turizmit WTM
- Zonë Turizmi
- Nov 5, 2024
- 2 min read

Panairi Ndërkombëtar i Udhëtimit – World Travel Market (WTM) London, ngjarja më me ndikim në botën e udhëtimit dhe turizmit, pritet të kontribuojë me afro 200 milionë paund në ekonominë e Londrës gjatë një jave të vetme. Më shumë se 40,000 profesionistë të industrisë së udhëtimit pritet të marrin pjesë në panair, i cili do të mbahet në Excel në Londër nga data 5 deri më 7 nëntor.
WTM London, e cila është në prag të thyerjes së rekordit për numrin e ekspozuesve të saj, ka raportuar një rritje prej 7% në numrin e pjesëmarrësve këtë vit. Pritet që gjatë këtij eventi të nënshkruhen marrëveshje biznesi në vlerë prej mbi 2.2 miliardë paund.
Sipas të dhënave nga VisitBritain, delegatët ndërkombëtarë që marrin pjesë në panair shpenzojnë mesatarisht 352 £ në ditë, duke e çuar shpenzimin total të vizitorëve në 71 milion paund. Një raport i Deloitte thekson se për çdo 1,000 £ të shpenzuara nga turistët, krijohen 1,800 £ vlerë të reja për ekonominë. Në total, WTM London pritet të gjenerojë një ndikim ekonomik shtesë prej 200 milion £ për ekonominë e Londrës.
Panairi vlerëson se 82% e të pranishmëve janë vizitorë ndërkombëtarë, të cilët shpenzojnë për transport, akomodim dhe argëtim gjatë qëndrimit të tyre në qytet. Rreth 40% e tyre qëndrojnë për tre ditë në Londër, 33% për të paktën një javë dhe 9% për të paktën nëntë ditë.
Juliette Losardo, Drejtoresha e Ekspozitës së WTM London, u shpreh: “Ne jemi krenarë për ndikimin e madh që WTM London ka në qytet. Me opsionet e akomodimit, restorantet e nivelit botëror dhe një gamë të gjerë atraksionesh, Londra është një destinacion tërheqës për të pranishmit tanë, të cilët jo vetëm marrin pjesë në panair, por gjithashtu e shfrytëzojnë si një mundësi për të shijuar kohën e lirë, duke ndihmuar kështu në rritjen e ekonomisë vendase."