Zonë TurizmiLAJME • DESTINACIONE • PËRVOJA
Portali i turizmit, udhëtimeve dhe përvojave autentike

A do të zëvendësojë AI guidat turistike në të ardhmen?

Opinion – Lavdim Pepaj. A mund ta zëvendësojë AI guidën turistike? Një vështrim nga përvoja praktike e guidës dhe ndryshimet që sjell teknologjia në turizëm.

Vizitorë duke ecur në një rrugë historike gjatë një turi të udhëhequr

Opinion – Lavdim Pepaj

A mund ta zëvendësojë AI guidën turistike? Pasi që edhe vetë kam punuar guidë turistike për disa vite, mund të jap një opinion nga këndvështrimi im nëse inteligjenca artificiale mund ta zëvendësojë një guidë turistike. Duke e ditur se si përgatitet një tur njëditor, që nga mëngjesi deri në mbrëmje, vetëm një guidë e di se sa e lodhshme dhe sa përgjegjësi ka ndaj turistëve, e mos të flasim për një tur disa ditore.

Një tur nuk është vetëm ecje nga një pikë në tjetrën, por është organizim, koordinim, komunikim dhe shpesh edhe zgjidhje problemesh të papritura gjatë ditës. Ndoshta pyetja më e mirë nuk është nëse AI mund ta zëvendësojë një guidë turistike, por si mund ta lehtësojë AI punën e guidës. Sepse gjithmonë do të ketë nevojë për një person që udhëheq grupin, krijon atmosferë dhe kujdeset për përvojën e turistëve.

Një aplikacion mund të tregojë rrugën, por nuk mund të menaxhojë një grup prej 20 apo 30 personash që kanë interesa, pyetje dhe kërkesa të ndryshme. Nga përvoja ime, një guidë shpesh duhet të jetë njëkohësisht organizator, psikolog, përkthyes dhe ndonjëherë komedian e diplomat. Ka situata kur programi duhet të ndryshojë për shkak të motit, vonesave apo kërkesave të turistëve. Në këto raste, vendimet merren në moment dhe kërkojnë përvojë praktike që nuk është gjithmonë e programueshme.

Megjithatë, shumë turistë sot përdorin aplikacione dhe AI për të kursyer para, duke mos paguar ekstra për një guidë turistike. Me një telefon në dorë, ata mund të krijojnë itinerar, të lexojnë histori për monumente, të gjejnë restorante dhe të orientohen në qytet. Kjo është një tendencë që në të ardhmen mund të ndikojë në mënyrën si ofrohen shërbimet turistike.

AI mund të ndihmojë guidat në përgatitjen më të shpejtë të itinerareve, gjetjen e informacioneve shtesë për destinacionet, përkthimin me turistë nga vende të ndryshme dhe krijimin e materialeve vizuale që e bëjnë turin më interesant. Në këtë kuptim, AI nuk duhet parë vetëm si konkurrencë, por edhe si mjet që mund të rrisë cilësinë e shërbimit.

Guidat që do të dinë ta përdorin teknologjinë mund të ofrojnë përvoja më të pasura dhe më profesionale. Ndoshta në të ardhmen ato do të fokusohen më shumë në ture tematike, përvoja autentike dhe histori që nuk gjenden lehtë online.

Në fund, AI mund ta ndryshojë mënyrën si funksionon profesioni i guidës turistike, por vështirë se mund ta zëvendësojë plotësisht. Turizmi nuk është vetëm informacion – është edhe komunikim, emocion dhe përvojë njerëzore. Pyetja që mbetet është: a do të përshtaten guidat me teknologjinë, apo teknologjia do të ndryshojë mënyrën si udhëtojmë?

Mund t’ju interesojnë edhe këto

Lexoni edhe artikuj të tjerë nga bota e turizmit, udhëtimeve dhe zhvillimeve të industrisë.

Lini një koment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *