A po na ndihmojnë influencuesit të udhëtojmë apo po na e prishin udhëtimin pa u nisur ende? Gjatë viteve që kam punuar me turistë nga vende të ndryshme, kam vënë re se vitet e fundit shumë prej tyre vinin me dilema. Kishin parë dhjetëra video për të njëjtin hotel, plazh apo destinacion dhe nuk dinin më kujt t’i besonin. Madje disa më pyesnin edhe për një rrugicë, një kënd fotografik apo një pamje që kishin parë në TikTok ose Instagram, ndërkohë që në realitet qasja deri atje ishte e vështirë ose pothuajse e pamundur. Pikërisht kjo më bëri të mendoj: a po na ndihmojnë influencuesit të udhëtojmë më shumë, apo po na krijojnë pritshmëri që nuk përputhen gjithmonë me realitetin?
Sot duket sikur të gjithë janë bërë influencues udhëtimesh. Mjafton një telefon, një selfie stick, një kamerë 360 gradë ose një dron dhe… urime, sapo u bëtë ekspert turizmi! Në fillimet e rrjeteve sociale, influencuesit ishin të paktë dhe për këtë arsye gëzonin më shumë besim. Ata vizitonin një vend, tregonin përvojën e tyre dhe përmes tyre njihnim kultura e vende të reja.
Pastaj erdhën algoritmet dhe me to ndryshoi edhe loja. Sot nuk fiton domosdoshmërisht ai që jep informacionin më të saktë. Fiton ai që merr më shumë klikime. Për të njëjtin hotel ose destinacion shohim tituj ekstremë: “Mos e rezervoni këtë hotel pa parë këtë video!”, “Ja çfarë nuk ju tregojnë për këtë resort!” ose “Ky është destinacioni më i nënvlerësuar në botë!”. Pas pak minutash shfaqet një video tjetër që thotë të kundërtën.
Dikur mezi prisja të vizitoja një vend, sepse nuk dija çfarë do të shihja. Sot, para se të blej biletën, e kam parë të njëjtin vend nga qindra kënde të ndryshme. Ndonjëherë duket sikur e kam vizituar destinacionin pa u nisur ende nga shtëpia. Dhe pikërisht këtu mendoj se po humbasim emocionin e zbulimit: rrugicën që nuk e kishe parë askund, restorantin e vogël pa miliona shikime apo plazhin që e zbulove rastësisht.
Nuk jam kundër influencuesve. Shumë prej tyre bëjnë punë të shkëlqyer dhe kanë ndihmuar në promovimin e destinacioneve. Por duhet t’i ndjekim me më shumë mendim kritik dhe të mos e konsiderojmë çdo video si të vërtetën absolute. Ndoshta duhet të shohim më pak video dhe të përjetojmë më shumë realitet. Sepse në fund, udhëtimi nuk është garë për të parë sa video ke parë për një destinacion. Është kënaqësia për ta zbuluar atë me sytë e tu.
Autor: Lavdim Pepaj



Lini një Përgjigje