Nëse ka një fjali që përsëritet çdo sezon veror në industrinë e turizmit, ajo është: “Këtë vit nuk ka turistë.” E dëgjon nga hotelierët, restorantet, agjencitë turistike, operatorët e plazheve, kompanitë e transportit, madje edhe nga biznese që përfitojnë indirekt nga turizmi. Nëse do të bazoheshim vetëm te këto deklarata, do të krijonim përshtypjen se turizmi është në rënie pothuajse çdo vit. Por, kur sezoni përfundon dhe publikohen statistikat zyrtare, tabloja është shpesh krejt ndryshe. Numri i turistëve rezulton më i lartë, netëqëndrimet rriten dhe në shumë raste raportohen të ardhura rekord.
Si ka mundësi që çdo verë dëgjojmë ankesa për mungesë turistësh, ndërsa në fund të sezonit flitet për rekorde? Kjo është një pyetje që më ka shoqëruar prej vitesh. Edhe vetë kam punuar për vite në kompani turistike dhe pothuajse çdo sezon dëgjoja të njëjtin diskutim: “Këtë vit nuk ka turistë”, “sezoni është dobët”, “nuk po ecën si vitin e kaluar”. Mirëpo, kur sezoni mbyllej dhe analizoheshin shifrat, rezultati ishte shpesh krejt ndryshe.
Së pari, çdo biznes e sheh sezonin nga këndvështrimi i tij. Nëse një hotel ka pasur më pak rezervime për disa javë, pronari mund të krijojë bindjen se i gjithë sezoni është i dobët. Ndërkohë, turistët mund të jenë zhvendosur në një zonë tjetër ose të jenë shpërndarë te më shumë struktura akomoduese. Sot ka shumë më tepër hotele, apartamente, vila turistike dhe një ofertë më të madhe në platforma si Airbnb. Si rezultat, edhe kur numri i turistëve rritet, ata ndahen mes më shumë bizneseve.
Një arsye tjetër lidhet me pritshmëritë. Në turizëm, askush nuk kënaqet duke përsëritur rezultatin e vitit të kaluar; të gjithë duan ta tejkalojnë atë. Kur kjo nuk ndodh në ritmin e pritur, lind ndjesia se sezoni nuk po ecën mirë, edhe nëse shifrat janë më të mira se një vit më parë.
Duhet të jemi të drejtë edhe me sipërmarrësit. Është normale që ata të synojnë fitimin maksimal. Megjithatë, ndonjëherë çdo dhomë e pashitur, çdo tavolinë bosh apo çdo vend i lirë në avion perceptohet si dështim. Por asnjë hotel, restorant apo kompani ajrore nuk funksionon me 100% kapacitet gjatë gjithë sezonit.
Një tjetër element që shpesh harrohet është se statistikat tregojnë panoramën e përgjithshme, ndërsa bizneset përjetojnë realitetin e tyre individual. Është e mundur që turizmi në nivel kombëtar të jetë në rritje, ndërsa një biznes i caktuar të ketë pasur sezon më të dobët për arsye që lidhen me çmimet, konkurrencën, marketingun apo cilësinë e shërbimit.
Prandaj, duhet të bëjmë dallimin mes dy pyetjeve: A ka më pak turistë? Dhe a ka arritur biznesi fitimin që kishte planifikuar? Këto janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Në fund të sezonit, faktet janë ato që mbeten. Ndoshta e dëgjojmë çdo verë të njëjtën fjali jo sepse turistët mungojnë, por sepse pritshmëritë e bizneseve shpesh rriten më shpejt sesa vetë turizmi.
Autor: Lavdim Pepaj



Lini një Përgjigje